29 Haziran 2016 Çarşamba

HYRJE

HYRJE

Historia e njerëzimit do të mund të konsiderohej si histori e profetëve. Zoti iu ka kumtuar Shpalljet e Tij Hyjnore njerëzve përmes të dërguarve të Tij gjatë historisë. Këta të dërguar ju treguan njerëzve për Zotin dhe ua komunikuan atyre fjalët e Zotit tonë.
Lufta me të cilën një numër prej të dërguarve u përballën në përhapjen e porosisë është përshkruar hollësisht në Kur’an. Vështirësitë që ndeshën, zgjidhjet që bënë dhe sjellja shembullore janë të përshkruara të gjitha në mënyrë të qartë. Zoti na njofton me çfarë sfida u desht të përballen ata si një shembull për njerëz, sepse lufta e tyre dhe karakteri i mirë i tyre janë gjithashtu të zbatueshme për njerëzit sot.
Në Kur’an, tregimet dhe përvojat e profetëve të ndryshëm, përveç Profetit Muhamed (saas), sikur ato për Profetin Isa (Jezus), Sulejman (Solomon), Jusuf (Jozef), Nuh (Nou), Ibrahim (Abraham), dhe shumë të tjerë (paqja qoftë mbi të gjithë ata), janë të përcjellura si shembuj. Për shembull, ka mësime të shumta për ne në sjelljen e drejtë të Profetit Jusuf, si edhe në njohjen e thellë të psikologjisë njerëzore dhe shoqërore në marrëdhenien e Jusufit me vëllezërit e tij, hudhja e tij në pus nga ata, shitja e tij si rob, rrënia e tij në burg gjersa ishte rob në pallatin mbretëror për shkak të akuzave të rrejshme dhe emërimi i tij si autoritet i arkës shtetërore.
Ekziston me të vërtetë një shembull i rëndësishëm për ne tek Profeti Ibrahim, i cili përmendet nga Zoti në Kur’an si “…një shembull i shkëlqyeshëm për ju…,” për shkak të ndërgjegjshmërisë dhe butësisë së tij, për mbështjetjen e tij në Zotin dhe për kthimin e tij kah Zoti kur po e hudhnin në zjarr.
Profeti i cili më së shpeshti përmendet në Kur’an si shembull është Profeti Musa (Mojsiu) (as). Emri i Musait përmendet në 34 sure (kapituj) të ndryshme. Mund të gjejmë informacion të gjerë për jetën e Musait në tri prej sureve më të mëdha (al-A’raf, Ta Ha dhe al-Qasas). Gjithë këto sure dhe vargje ofrojnë shpjegime të hollësishme për vështirësitë e tij me Faraonin, duke filluar nga fëmijëria e tij, sjellja e ligë e njerëzve të tij dhe lufta e tij për t’ua përcjellur atyre porosinë. Guximi i tij i palëkundur në rrethanat më të vështira paraqitet me qëllim që të jetë shembull për njerëzit.
Në këtë libër do ta hulumtojmë jetën e Profetit Musa siç është përshkruar në Kur’an. Do t’i hulumtojmë ndodhitë që ai ka përjetuar ashtu siç janë përshkruar. Në thelb, ndodhitë në jetën e Profetit Musa nuk duhet të merren thjeshtë si ndodhi të së kaluarës së lashtë, por më shumë si ndodhi dhe shembuj për të ndriçuar vet jetërat tona sot.
Prophet Moses

SOVRANITETI I FARAONIT NË EGJIPT dhe GJENDJA E BIJVE TË IZRAELIT

SOVRANITETI I FARAONIT NË EGJIPT dhe GJENDJA E BIJVE TË IZRAELIT

Përveç qyteteve shtete të themeluara në Mesopotami, qytetërimi Egjiptian ishte një prej qytetërimeve më të lashta në histori. Egjipti i vjetër dihet të ketë pasur rregullimin më të organizuar shoqëror dhe politik të kohës. Zbulimi i tyre i shkrimit, 3000 vite para erës së re, përdorimi i lumit Nil, shkretëtirat që rrethonin vendin dhe që shërbenin si një mbrojtje e fortë ndaj kërcënimeve të jashtme ishin faktorët kryesor për përparimin e suksesshëm të Qytetërimit Egjiptian.
Megjithatë, ky qytetërim madhështor sundohej nga Faraoni, sundimi i të cilit përshkruhet në mënyrë të qartë në Kur’an si një shembull i kokëfortësisë (kryeneqësisë). Ky popull vepronte me mendjemadhësi kundër Zotit, duke këmbëngulur në mënyrë të vazhdueshme në mohimin e së vërtetës.
Si pasojë, madje edhe qytetërimi i tyre i përparuar, rregullimi shoqëror dhe politik dhe të arriturat ushtarake, s’arritën t’i mbrojnë ata nga shkatërrimi.
 Israel,Pharaoh in Egypt The children of Israel were enslaved by Pharaoh in Egypt and subjected to hard labour.
Ndodhitë më të rëndësishme të historisë së Egjiptit patën lidhje me praninë e bijve të Izraelit në këtë vend.
Izrael është emri tjetër i Profetit Jakub (Jakobi) (as). Të bijtë e Jakubit formuan fisin e "të bijve të Izraelit," fisin i cili me kohë u bë i njohur si "Çifutët (Jahuditë apo Hebrenjtë)." Të bijtë e Izraelit së pari erdhën në Egjipt gjatë kohës së Profetit Jusuf, djalit më të ri të Jakubit. Në Kur'an, në Suren Jusuf, është dhënë një përshkrim i hollësishëm i jetës së Jusufit. Duke filluar që nga vitet e para të jetës së tij, Jusufi ishte përballur me vështirësi të shumta dhe i ishte nënshtruar sulmeve dhe shpifjeve të shumta. Në periudhën e mëvonshme të jetës, pas lirimit nga burgu ku e kishin futur për shkak të një akuze të rrejshme, Jusufi u emërua përgjegjës për arkën shtetërore të Egjiptit. Emërimi i tij u përcoll me dyndjen e bijve të Izraelit në Egjipt. Kjo në Kur'an përshkruhet kështu:
Pastaj kur ata hynë te Jusufi, ai i mori prindërit e tij pranë vetes dhe u tha: "Hyni në Egjipt të sigurt, nëse dëshiron Zoti."  (Kur'an, 12:99)
Siç shpjegohet në Kur’an, të bijtë e Izraelit, që banuan në paqe dhe siguri në Egjipt, përfundimisht humbën pozitën e tyre në shoqëri dhe me kohë u robëruan. Nga vargjet e cekura në Kur’an mësojmë se bijtë e Izraelit ishin në atë gjendje kur Musai u paraqit në skenë. Siç përshkruhet në Kur’an, Musai shkoi te Faraoni si “pjesëtar i një fisi të robëruar.” Përgjigja arrogante që pasoi, që Faraoni dhe paria e tij ia bën Musait (as) dhe Harunit (as), na e bën të ditur këtë fakt:
Ata thanë: "A të besojmë ne në dy njerëz si vet ne dhe duke qenë populli i tyre nën robërinë tonë?")  (Kur'an, 23:47
 Israel into EgyptAn ancient Egyptian mural painting depicting the entry of the children of Israel into Egypt.
Siç përshkruhet në këto vargje, Egjiptianët i kishin robëruar të bijtë e Izraelit dhe i kishin bërë ata shërbëtorë të vet. Për të mbajtur dhe imponuar këtë sistem të robërisë, Egjiptianët përdorën metoda të shtypjes. Kjo shtypje u ushtrua gjer në shkallën e vënies nën kontroll të tërë popullatës Izraelite. Shtimi i popullatës mashkullore i konsideruar si një sfidë e mbijetesës së vet Egjiptianëve, u pengua, gjersa popullata femërore u shfrytëzua për t’u shërbyer atyre. Kjo gjendje përshkruhet në vargjet në të cilat Zoti iu drejtohet bijve të Izraelit:
Përkujtoni kur Ne ju shpëtuam nga populli i Faraonit. Ata po ju sprovonin me dënimin më të rëndë – duke ju vrarë bijtë tuaj dhe duke lënë gjallë gratë tuaja. Këtu pati një sprovë të madhe për ju nga Zoti juaj. (Kur'an, 2:49)
Përkujtoni kur Ne ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili po ju sprovonte me dënimin më të rëndë, duke vrarë bijtë tuaj dhe duke lënë gjallë gratë tuaja. Këtu pati një sprovë të madhe për ju nga Zoti juaj.  (Kur'an, 7:141)
Religjioni mbizotërues në tokën Egjiptiane ishte trashëgimia e zakoneve të adhurimit të idhujve të paraardhësve të Faraonit. Ky religjion i padrejtë besonte në ekzistencën e zotërave të shumtë. Faraoni në anën tjetër besohej të ishte një zot i gjallë. Ishte pikërisht ky besim që iu dha faraonëve një fuqi të tillë mbi njerëzit që ishin nën sundimin e tyre. Faraoni dhe paria sunduese e tij e panë Musain si një kërcënim për mënyrën e jetës së tyre të diktuar nga religjioni i paraardhësve të tyre, pasiqë sipas këtij religjioni, ishte Faraoni ai që zotëronte gjithë fuqinë dhe madhështinë. Arroganca e Faraonit, përpjekja e tij për të ruajtur kontrollin dhe konsiderimi i Musait dhe Harunit si rival të tij dëshmohen me këto fjalë të Faraonit dhe parisë së tij, me të cilat ata i drejtohen Musait dhe Harunit:
Ata i thanë: "A ke ardhur te ne që t'na largosh nga ai besim të cilin i gjetëm baballarët tonë ta ndjekin dhe që ju të dy të mund të fitoni madhështi në tokë? Ne nuk do t'ju besojmë ju të dyve." (Kur'an, 10:78)
Në pajtim me religjionin e paraardhësve të tij, Faraoni pohonte se ishte zot. Ai shkoi aq larg sa të pohonte se ishte zoti i tyre më i lartësuar:
(Faraoni) duke thënë: "Unë jam zoti juaj më i lartë!" (Kur'an, 79:24)
Për shkak të bestytnisë së tyre, Faraoni dhe paria e tij e konsideronin veten si qenie hyjnore. Arroganca e tyre buronte nga fakti se ata ishin shumë larg dashurisë, përkujdesjes dhe mëshirës, që janë norma të urdhëruara nga religjioni i ri. Si rrjedhojë e arrogancës së tyre, ata besonin se kishin të drejtë t’i japen mizorisë. Zoti i referohet mendësisë së tyre në vargun vijues:
…tek Faraoni dhe krerët e tij. Por ata u sollën me paturpësi dhe qenë popull arrogant e mburravec. (Kur'an, 23:46)
Faraoni kishte ndikim aq të madh tek njerëzit e Egjiptit sa që të gjithë i nënshtroheshin plotësisht atij. Ata besonin se Faraoni ishte i vetmi zotërues i tërë tokës së Egjiptit dhe lumit Nil:
slavesAn ancient Egyptian mural depicting the enslavement of the children of Israel in Egypt. In the foreground is Pharaoh and his inner circle, and in the background you can see the slaves with ropes around their necks.
Faraoni iu drejtua njerëzve të tij duke thënë: "O populli im! A nuk më takon mua sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjëve që rrjedhin poshtë meje? A nuk shihni pra?" (Kur'an, 43:51)
Me të drejtë thuhet se Nili don të thot jetë për Egjiptin. I tërë Egjipti mvarej nga Nili për bujqësi. Nili ujiste të lashtat, furnizonte me ujë të pijshëm si kafshët ashtu edhe njerëzit. Sipas Faraonit dhe parisë së tij, i vetmi pronar i ujërave të Nilit dhe i vet tokës ishte Faraoni. Secili në Egjipt pranonte në heshtje fuqinë e tij dhe i bindej sundimit të tij.
Për të siguruar pushtetin e tij dhe për t’i nënshtruar njerëzit e tij, Faraoni i kishte përçarë ata në grupe të veçuara dhe me ndihmën e këshilltarëve të besuar të tij nga mesi i tyre, i sundonte këto grupe të dobësuara. Në një varg, Zoti na tërheq vëmendjen për këtë gjendje:
Faraoni ngriti veten shumë lart në tokë dhe i ndau njerëzit në të në sekte, duke dobësuar (shtypur) një grup prej tyre duke vrarë bijtë e tyre dhe duke lënë gjallë gratë. Vërtetë që ai qe prej shtypësve (tiran). (Kur'an, 28:4)
Para lindjes së Musait, Egjipti ishte një vend i mëkatshmërisë dhe çoroditjes. Duke u bazuar krejtësisht në dallime racore njerëzit robëroheshin dhe torturoheshin. Pa ndonjë arsyetim të qartë, Faraoni urdhëroi të vriteshin që të gjithë fëmijët e gjinisë mashkullore të Izraelitëve që ishin nën sundimin e tij. Për më tepër, i zhytur në mendjemadhësi dhe mizori, ai e konsideronte veten zot në tokë. Me anë të vendosjes së një sistemi të sundimit, Faraoni mbante çdo gjë nën kontrollin e tij dhe i bënte njerëzit t’i nënshtroheshin atij.
Në këto rrethana Musai u dërgua atje si i dërguar i Zotit për t’i dhënë fund shtypjes dhe mizorisë, për t’ju përkujtuar njerëzve se Zoti ynë është Allahu, për t’ju mësuar atyre fenë e re dhe për t’i shpëtuar të bijtë e Izraelit nga robëria.

LINDJA E MUSAIT (AS)

LINDJA E MUSAIT (AS)

Siç u tha në kapitullin e mëparshëm, Musai lindi në një kohë fatkeqe. Madje edhe në momentin e lindjes së tij, jeta e tij ishte në rrezik. Faraoni urdhëroi që të gjithë femijët e gjinisë mashkullore të vriten dhe femrat të kursehen për t’u robëruar. I zënë në grackë nën rrethana të tilla, Musai ishte i shtyer të jetonte një jetë të vështirë në mesin e robërve nën kërcënimin e vazhdueshëm me vdekje. Nëna e tij ishte shumë e brengosur për të deri në momentin kur u frymëzua nga Zoti:
Dhe Ne e frymëzuam nënën e Musait (duke i thënë): "Jepi gji atij por kur të kesh frikë për të, atëherë hidhe në lum (det) dhe mos ke frikë dhe as mos u pikëllo. Sigurisht që Ne do ta sjellim atë përsëri tek ti dhe do ta bëjmë atë prej të Dërguarve Tonë."(Kur'an, 28:7)
Zoti e udhëzoi nënën e Musait dhe i tha asaj që ta vendoste atë në një arkë dhe ta lëshonte të lundroj në lumin Nil, poqese ushtarët e Faraonit kurdoherë do të mësonin për lindjen e tij. Pasiqë frikësohej për jetën e djalit të saj, ajo veproi sipas asaj që iu frymëzua. Duke mos ditur se ku dhe si do ta kishin bartur ujërat djalin e saj, ajo e vendosi Musain në një arkë dhe e lëshoi në ujërat e Lumit Nil. Mirëpo, me frymëzimin nga Zoti, ajo e dinte se ai në fund do t’i kthehej asaj dhe do të bëhej i dërguar i Zotit. Zoti, Krijuesi dhe Gjithëpërfshirësi, krijoi Musain dhe nënën e tij dhe i lejoi të dinë për fatin e tyre. Më vonë, Zoti përkujtoi Musain për faktet e fëmijërisë së tij të hershme në këtë mënyrë:
Kur Ne e frymëzuam nënën tënde (duke i thënë): "Vendose në arkë dhe hidhe në lum (det), pastaj lumi (deti) do ta nxjerr në breg dhe atje, ai që është armik i Imi dhe i tij do ta marr… " (Kur'an, 20:38-39)
Në këtë pikë, do të duhej të shtjellonim në hollësi temën e fatit. Zoti, siç tregohet në vargun më lartë, i tha nënës së Musait ta lëshonte djalin në ujë dhe e bëri me dije atë se Faraoni më vonë do ta gjente dhe se Musai në fund do t’i kthehej asaj si një i dërguar i Zotit. Me fjalë të tjera, se Musai do të vendosej në arkë dhe do të lëshohej në lum, se atë do ta gjente dhe për të do të përkujdesej Faraoni dhe se ai përfundimisht do të bëhej njëri prej profetëve, të gjitha ishin të ditura që më parë. Kjo për arsye se të gjitha këto ngjarje ishin parapërcaktuar nga Zoti, në pajtueshmëri me vullnetin e Tij dhe që Ai i lejoi nënës së Musait të mësoj për këtë para se kjo të kishte ndodhur.
Këtu duhet të përmendim se të gjitha hollësitë që kanë të bëjnë me jetën e Musait ishin të paracaktuara në sytë e Zotit dhe se të gjitha ishin jetësuar sikurse ishte paracaktuar. Përmbushja e frymëzimit hyjnor që iu shfaq nënës së Musait ishte e mundur me anë të zhvillimit të kushteve të panumërta të paracaktuara nga fati.
Shmangja e ushtarëve të Faraonit dhe arritja e Musait në pallatin e Faraonit pa u fundosur mvareshin nga përmbushja e disa kushteve. Këto janë ato kushte:
1- Arka në të cilën ishte vendosur Musai foshnje duhej të ishte e papërshkueshme nga uji. Prandaj, ai që e konstruktoi arkën duhej ta punonte në atë mënyrë që ajo të mund të lundronte. Për më tepër, forma e arkës ishte një faktor i rëndësishëm sa i përket shpejtësisë së lundrimit në ujë, s’duhej as të lundronte shumë shpejt dhe ta kalonte pallatin e Faraonit, e as shumë ngadalë, duke u ndalur kështu para se të arrinte tek Pallati. Arka duhej të ishte punuar pikërisht në formën e duhur që të mund të lundronte me shpejtësinë e duhur. Gjithë këta faktorë përbënin hollësitë e shumta të paracaktuara si pjesë e fatit të zdrukthëtarit, i cili e punoi arkën tamam ashtu si duhej.
2- Rryma e ujit që e kishte bartur arkën s'duhej të ishte as shumë e shpejtë e as shumë e ngadalshme, por të kishte shpejtësinë e duhur. Kjo do të ishte e mundshme vetëm me llogaritjen e saktë të sasisë së rreshjeve të shiut që formuan sasinë e ujërave të Nilit për minut. Kjo sasi e ujit bën gjithashtu pjesë në hollësitë e ndërlikuara të fatit të paracaktuar nga Zoti.
3- Erërat gjithashtu duhet të kenë ndikuar në mënyrë të përshtatshme në lëvizjen e arkës. Domethënë, erërat gjithashtu frynë në përputhje me një fat të paracaktuar. Ato duhet të kenë fryer as shumë shpejtë që ta largonin arkën, as në drejtim të kundërt që t'ia ndërronin drejtimin dhe as shumë ngadalë që t'ja ngadalsonin shpejtësinë.
4- Gjersa arka ishte në lum, askush s'do të mund ta gjente. Domethënë, askush përveç atij që duhej të haste në të apo ta vërente atë. Rrjedhimisht, në pajtim me një fat të përcaktuar, secili që jetonte përgjatë lumit Nil nuk kishte qenë afër apo s'e kishte vënë re arkën. Në fakt, këto rrethana ishin të gjitha pjesë e fatit të parapërcaktuar nga Zoti.
5- Sikurse jeta e Musait, jetërat e Faraonit dhe të familjes së tij gjithashtu u rregulluan në pajtim me një fat të paracaktuar. Ata duhej të ishin pikërisht në vendin e duhur dhe në kohën e duhur në mënyrë që të gjenin Musain. Familja e Faraonit do të mund të kishte planifikuar të vinte te bregu i lumit më heret. Ajo që i kishte shtyer ata të shkojnë atje pikërisht në atë kohë ishte fati i tyre.
Këto janë vetëm disa prej rrethanave që lejuan Faraonin të gjej Musain. Të gjitha kishin ndodhur pikërisht ashtu siç i ishte frymëzuar nënës së Musait. Në të vërtetë, premtimi që Zoti i dha nënës së Musait dhe të gjitha ngjarjet tjera që kishin ndodhur, kishin ndodhur të gjitha dhe ishin përmbushur pikërisht siç ishin paracaktuar tashmë nga Zoti.
Ngjarjet që kishin të bëjnë me fatin e Musait nuk ishin të kufizuara vetëm me ato ngjarje që i rrëfyem gjer më tani. Secili moment i jetës së tij ishte me kujdes i paracaktuar në pajtim me një fat të veçantë. As vendi as viti i lindjes së tij, as njerëzit me të cilët ishte i rrethuar ai, as nëna apo babai i tij nuk ishin përcaktuar sipas zgjidhjes së tij. Ishte Zoti që paracaktoi gjithçka dhe krijoi secilin prej tyre. Ky fakt u shpall gjithashtu nga Profeti Muhamed (saas) i cili tha: “Gjithçka bëhet me urdhër – madje edhe paaftësia dhe aftësia” (Muslim)
Një vlerësim më i thellë i këtyre ngjarjeve do t’na mundësoj që të kuptojmë më mirë se si secili moment i jetërave tona është i lidhur ngusht me fatin tonë. Përmes shembujve të shumtë, tregimi për Musain na mundëson të mendojmë për kuptimin dhe thurrjen e fatit të tij. Me hollësitë e llojllojshme të tregimit për Musain, Zoti na përkujton se jeta e një individi, sikurse edhe jetërat e gjithë njerëzimit dhe e tërë gjithësia, janë të lidhura ngusht me fatin që Ai ka paracaktuar.
Poashtu sikur që Musai lundroi në Nil në pajtim me fatin e tij, ashtu edhe Faraoni dhe familja e tij u shtynë të arrijnë tek vendi ku do të takonin Musain. Nga vargjet që kanë të bëjnë me këtë temë, mësojmë se familja e Faraonit ishte sjellur pikërisht sikurse i ishte frymëzuar më parë nënës së Musait, domethënë, ata e kishin marrë Musain nën përkujdesjen e tyre pa qenë të vetëdijshëm se çfarë bartte e ardhmja për ta:
Pastaj atë e mori familja e Faraonit, që ai të mund të bëhej për ta një armik dhe burim I pikëllimit të tyre. Me të vërtetë që Faraoni dhe Hamani dhe pasuesit (trupat) e tyre ishin mëkatarë. Dhe gruaja e Faraonit tha: "Një burim kënaqësie për mua dhe për ty. Mos e vrisni atë, mbase mund të jetë i dobishëm për në ose mund ta birësojmë atë si djalin tonë." Dhe ata nuk e kuptonin dot (përfundimin e kësaj pune). (Kur'an, 28:8-9)
Dhe kështu Faraoni dhe familja e tij, plotësisht të pavetëdijshëm se çfarë do t’ju sjellte fati, gjetën Musain dhe e birësuan si djalin e tyre. Në të vërtetë, ata kishin vendosur ta mbajnë atë me shpresë se fëmija një ditë do t’ju sjellte përfitim.
Në ndërkohë, nëna e Musait ishte e brengosur për djalin e saj sepse nuk e dinte se çfarë i kishte ndodhur atij. Për ta përballuar këtë situatë, Zoti ia forcoj zemrën asaj:
Dhe zemra e nënës së Musait mbeti e zbrazët. Ajo qe gati ta zbulonte (të vërtetën) po t'mos e kishim forcuar Ne zemrën e saj që ajo t'mund të mbetej prej besimtareve. Dhe ajo i tha motrës së tij (Musait): "Ndiqe atë." Kështu ajo e përcjellte atë nga larg fshehtas, ndërsa ata nuk e shihnin dot. Dhe Ne së pari e bëmë atë (Musain) t'i refuzoj të gjitha mëndeshat, derisa erdhi ajo (motra e Musait) dhe tha: "A t'ju tregoj unë për një familje që do ta ushqej atë dhe do ta rritë atë për ju dhe që do të kujdeset mirë për të?"
Kësisoj Ne e kthyem atë te nëna e tij që asaj të mund t'i qetësoheshin sytë e t'mos pikëllohej dhe që të mund të kuptonte se premtimi i Zotit është i vërtetë. Por shumica e tyre nuk e dinë këtë.  (Kur'an, 28:10-13)
Musai foshnje refuzoi të gjitha mëndeshat, domethënë, nuk piu qumështin e tyre, sepse sipas fatit të përcaktuar për të, Zoti kishte urdhëruar që ai të pinte vetëm qumështin e nënës së tij. Kjo ndriçon faktin se gjithcka njerëzit dëshirojnë është gjithashtu në pajtim me fatin e paracaktuar nga Zoti. Siç i ishte frymëzuar nënës së tij, Profeti Musa më në fund u kthye tek familja e tij.
Në tregimin për Musain, Zoti sqaron se Ai shpesh krijon situata që duken të jenë të vëshira dhe pa rrugëdalje të dukshme dhe se ngjarjet që perceptohen si fatkeqësi shumë lehtë mund të ndodhë të jenë bekime të mrekullueshme. Një nënë e frikësuar nga kërcënimi që foshnja e saj mund të vritet nga ushtarët mizorë, për ta shpëtuar atë, e lëshon foshnjën të lundroj në ujërat e një lumi. E njëjta foshnje mandej birësohet nga familja më e fuqishme e vendit, e cila në fund e kthen foshnjën tek familja e saj, sepse foshnja refuzon të gjitha mëndeshat tjera…Secila nga këto ngjarje është një mrekulli në vetvete që demonstron përsosmërinë e skajshme të fatit të urdhëruar nga Zoti. Për besimtarët, secili detal i fatit të njeriut në fund rezulton të jetë një bekim. Siç mund të shihet në shembullin më lartë, nganjëherë Zoti përgatitë aso të mira për ne përmes rrethanave më të papritura.

MUSAI (AS) IKË NGA EGJIPTI

MUSAI (AS) IKË NGA EGJIPTI

Në Kur’an rrëfehet ngjarja në vazhdim nga jeta e Musait:
Dhe ai (Musa) hyri në qytet kur banorët e tij qenë të pavëmendshëm dhe gjeti atje dy burra që po ziheshin, njëri nga pala e tij, ndërsa tjetri nga armiqtë e tij. Njeriu i palës së tij i kërkoi atij ndihmë kundër armikut të tij, kështuqë Musai e qëlloi atë me grusht dhe e mbyti atë. Ai tha: "Kjo është punë prej punëve të Shejtanit. Ai me të vërtetë është armik çorientues dhe humbës i qartë." (Kur'an, 28:15)
Ngjarja e sipër përmendur na shfaqë një situatë në të cilën Musai ishte dëshmitar i një zënke në të cilën merrte pjesë një njeri nga fisi i tij, pas së cilës, pa vlerësuar se kush kishte të drejtë, ai muar anë duke goditur tjetrin. Edhepse qëllimi i tij s’ishte ta mbyste atë, ai vdiq nga goditja. Profeti Musa e pa se bëri mëkat. Parimi moral i kësaj ngjarjeje është se kur një person është në gabim, është e padrejtë të përkrahet vetëm pse i takon anës (palës) së njëjtë. Musai e quan veprimin e tij të gabuar, domethënë pandehjen e tij të epërsisë së njeriut nga vet fisi i tij si “punë prej punëve të Shejtanit.”
map of ancient egypt
Map of ancient Egypt.
Me të vërtetë, çështja e përfolur këtu është një çështje që i ka sjellë urrejtje dhe luftëra njerëzimit gjatë historisë dhe kështu vazhdon të jetë gjer në ditët tona. Obsesioni patriotik i njeriut ndaj familjes së tij, fisit, shokëve apo racës dhe refuzimi i asaj që është e drejtë për këtë qëllim kanë qenë shkaktarët kryesor të shumicës së konflikteve dhe mizorive të kryera në histori.
I alarmuar nga ndërgjegja e tij, Musai përnjëherë kuptoj se kjo ndjenjë ishte një e keqe që vinte nga ndikimi i Shejtanit, dhe prandaj kërkoi strehim (mbrojtje) nga kjo tek Zoti dhe u pendua. Në vargjet vijuese, lexojmë për qasjen shembullore dhe të ndërgjegjshme të përvetësuar nga Musai:
Ai tha: "Zoti im! I bëra keq vetes sime. Më fal." Pastaj Zoti e fali atë. Vërtetë që Ai është gjithnjë Falës i Madh, i Gjithëmëshirshëm. Ai tha: "Zoti im! Për atë që ti më ke nderuar, unë kurrë më s'do të jem ndihmës i keqbërësve." (Kur'an, 28:16-17)
Musai pranoi gabimin e tij, atë të mbrojtjes së një njeriu, në kundërshtim me drejtësinë, vetëm pse ai ishte nga fisi i tij. Megjithatë, ky lloj qëndrimi paragjykues ishte i zakonshëm për njerëzit e Egjiptit. Me të dëgjuar për vrasjen e paqëllimtë të Musait, njerëzit e fisit tjetër të shtyrë nga ndenja raciste mund të ishin hakmarrë duke vrarë Musain. Ishte frika që kjo mund të ndodhte ajo që e shqetësoi Musain:
Mëngjezi e gjeti atë në qytet, të frikësuar dhe në pritje të asaj që do të ndodhte (i frikësuar për pasojat e vrasjes), kur ç'të shoh! Njeriu që i kish kërkuar atij ndihmë një ditë më parë, kërkoi përsëri ndihmë nga ai. Musai i tha atij: "Me të vërtetë që ti je humbës dhe ngatërrestar i qartë." (Kur'an, 28:18)
Pra, Musai s’mund të mbante më vendin e tij në shoqërinë e Faraonit. I brengosur për sigurinë e tij, Musai kaloi natën duke u ruajtur nga çfarëdo e keqe e mundshme nga Faraoni dhe njerëzit e tij. Të nesërmen, ngjarja e cila rrëfehet në vargun e mësipërm ndodhi; njeriu i cili kërkoi ndihmën e Musait një ditë më parë erdh tek ai me një kërkesë të ngjashme, këtë herë kundër një njeriu tjetër. Siç bëhet e ditur në këtë varg, ai shpresonte që Musai t’i ndihmonte edhe njëherë tjetër, duke u bazuar në faktin se ishte pjesëtar i fisit të tij. Megjithatë, Musai iu shmang përsëritjes së gabimit të njëjtë. I vetëdijshëm se shoqëruesi i tij nuk kishte të drejtë, ai refuzoi t’i ndihmonte. Atëherë shoqëruesi i Musait përnjëherë u kthye kundër tij dhe filloi ta kritikonte. Ai përmendi kundër Musait vrasjen e paqëllimtë që Musai kryejti një ditë më parë:
Por kur po mundohej ta kapte njeriun që ishte armiku i atyre të dyve, burri tha: "O Musa! A don t'më vrasësh edhe mua sikur e mbyte një njeri dje? Ti vetëm dëshiron të bëhesh tiran në tokë dhe nuk don të jesh prej atyre që bëjnë mirësi e drejtësi."(Kur'an, 28:19)
Sidoqoftë, edhepse vrasja u krye pa qëllim, Musai merrej si një njeri që kishte vrarë një Egjiptian. Ndërkohë, Faraoni dhe krerët e tij diskutuan dënimin e Musait, madje edhe mundësinë e ekzekutimit të tij. Dikush që dëgjoi bisedën erdh të paralajmëroj Musain. I brengosur për thurrje të komplotit ndaj tij, Musai u largua nga Egjipti:
Një njeri erdh duke vrapuar nga skaji më i largët i qytetit, duke thënë: "O Musa! E vërtetë se krerët janë mbledhur të këshillohen së bashku për ty, për të vrarë ty, prandaj largohu! Vërtetë që jam prej atyre që të këshillojnë për të mirë." Kështu ai u largua prej aty i frikësuar dhe duke u ruajtur, duke thënë: "Zoti im! Më shpëto prej popullit keqbërës!"  (Kur'an, 28:20-21)
Këto fakte për jetën e Musait na japin njohuri për personalitetin e Musait gjithashtu. Duket që ai të ketë qenë një njeri mjaft gjaknxehtë. Gjatë përleshjes ai menjëherë muar anën e njeriut nga fisi i tij dhe pastaj goditi dhe paqëllim mbyti kundërshtarin. Në fund, duke u frikësuar për jetën e tij, ai iku nga Egjipti. Mund të fitohet përshtypja se Musai duhet të ketë qenë gjithnjë gjaknxehtë gjatë gjithë kohës në të cilën ndodhën këto ngjarje. Sidoqoftë, pas bisedës me Zotin, Musai mësoi të ketë frikë vetëm nga Zoti dhe të kërkojë mbrojtje (strehim) vetëm tek Ai. Ky është një shembull shumë i mirë për mënyrën se si Zoti forcon karakterin e njeriut.

IKJA PËR NË MEDJEN dhe VENDOSJA E TIJ ATJE

IKJA PËR NË MEDJEN dhe VENDOSJA E TIJ ATJE

Musai la pas vetes Faraonin, njeriun i cili e kishte rritur, sikurse edhe popullin e Faraonit dhe shkoi në Medjen (Medjeni është një rajon përtej shkretëtirës së Sinait në lindje të Egjiptit, që korrespondon me skajin jugor të Jordanit të sotëm.)
Tek ujërat e Medjenit, Musai takoi dy gra që nuk mund t’u japnin për të pirë ujë tufës së tyre të deleve duke dashur t’ju shmangeshin barinjëve të tjerë. Por siç rrëfejnë vargjet e Kur’anit, nga pamja e jashtme, Musai dukej si një njeri tejet i edukuar dhe i besueshëm. Pra, gratë nuk ngurruan t’i afrohen atij. Ato i shpjeguan se ato duhej të kullotnin tufën e deleve të babait të tyre ngase ai ishte një njeri i thyer në moshë, por s’kishin mundur ta bëjnë këtë për shkak të barinjëve. Atëherë Musai ju ndihmoi atyre duke quar tufën e tyre të deleve për t’u dhënë ujë:
Dhe kur arriti te ujërat e Medjenit, gjeti aty disa burra që po u japnin ujë bagëtive dhe aty pranë pa dy gra që po e ndalonin prapa tufën e tyre. Ai u tha: "Si është puna me ju?" Ato thanë: "Ne nuk mund t'i japim ujë tufës sonë, derisa barinjtë t'i kenë larguar tufat e tyre. Dhe babai ynë është burrë tepër i thyer në moshë." Kështu ai u dha për to ujë tufës së tyre… (Kur'an, 28:23-24)
Vargjet ofrojnë një shembull të karakterit të sjellshëm dhe mirëdashës të Musait; ai iu afrohet dy të huajave, i ndihmoi ato dhe fitoi respektin e tyre. Në anën tjetër, duhet të nënkuptohet se njerëzit, të përmendur si “barinjë,” japnin përshtypjen e një qëndrimi krejtësisht të kundërt me atë të Musait. Kjo është e qartë nga fakti se femrat me sa duket iu shmangeshin atyre ndonëse zgjodhën të bisedojnë me Musain. Këta njerëz mund të jenë dukur të dyshimtë për nga pamja e tyre (Zoti di më së miri.)
Mund të arrijmë në përfundimin se një Musliman duhet me kujdes t’i shmanget sjelljes karakteristike për njerëzit e përmendur këtu si “barinjë.” Muslimanët duhet të jenë shembull si Musai, i cili u soll me mirësi, modesti dhe çiltërsi. Siç sugjeron shembulli i Musait, një Musliman duhet të zhvillojë sjellje tejet të kultivuar dhe të jetë i besueshëm, cilësi këto që duhet të jenë menjëherë të dallueshme në të.
Gjithashtu duhet të përmendim faktin se Musai gjithnjë shfaq një temperament që shërben si shembull i nënshtrimit të sinqertë ndaj Zotit. Duke lënë gjithçka të dashur në tokën e Egjiptit ku ishte rritur, ai nuk e kishte fare idenë se çfarë i sillte e ardhmja. E vetmja gjë e sigurt ishte se asgjë në jetën e tij më s’do t’ishte si më parë. Megjithatë, edhepse ai nuk e dinte, Zoti tashmë kishte paracaktuar se çfarë do t’i ndodhte. Musai u lut kësisoji:
…dhe pastaj u ktheu shpinën dhe shkoi nën një hije dhe tha: "Zoti im! Sigurisht që unë kam nevojë për çfarëdo mirësie që Ti mund t'më dhurosh." (Kur'an, 28:24)
Sinqeriteti i njeriut në lutje është dëshmi e të kuptuarit të tij të faktit se Zoti ka fuqi të bëj çdo gjë, se të gjitha të mirat dhe fatkeqësitë vijnë vetëm prej Tij dhe se njeriu s’ka tjetër ndihmues a mbrojtës përveç Zotit. Lutja e Musait e cituar në vargjet e mësipërme është një lutje e bërë në nënshtrim të plotë ndaj Zotit, nga dikush që ka vetëdije të plotë për këtë të vërtetë. Me të vërtetë, Zoti iu përgjigj lutjes së sinqertë të Musait dhe derdhi prej mëshirës së Tij mbi të.
Mirësia që tregoi Musai ndaj dy grave rezultoi me një fillim të një jete plotësisht të re për të. Gjersa Musai ishte duke pushuar, njëra prej dy grave iu afrua dhe e njoftoi për ftesën e babait të saj në shenjë falënderimi për ndihmën e tij:
Pastaj atij iu afrua njëra nga dy gratë duke ecur e turpëruar dhe tha: "Babai im të fton që të mund të të shpërblejë për atë që u dhe ujë për ne tufës sonë." Kështu kur shkoi tek ai dhe i tregoi gjithçka i kishte ndodhur, ai tha: "Mos u frikëso. Ti ke shpëtuar prej një populli keqbërës."  (Kur'an, 28:25)
Musai iu lut Zotit tonë me sinqeritet, duke iu lutur për çfarëdo mirësie që Ai do t’i dhuronte. Zoti iu përgjigj lutjes së tij dhe pas kërcënimit që iu kanos për jetë e udhëzoi atë tek njerëzit që do t’i ndihmonin dhe ofronin siguri. Musai kishte karakter të fortë dhe ishte njeri i besueshëm për shkak të sjelljeve të tij. Me të vërtetë, femrat, pavarësisht nga ajo që ishin të kujdesshme ndaj barinjëve, i besuan Musait dhe i folën atij. Për më tepër njëra nga femrat e luti babain e saj që të punësonte Musain duke e parë se ishte i fortë dhe i besueshëm:
Dhe njëra prej tyre tha: "Punëso atë, baba! Vërtetë që njeriu më i mirë për tu punësuar është dikush që është i fortë dhe mund t'i besosh." (Kur'an, 28:26)
Me këto fjalë, vajza në mënyrë të qartë i shprehi babait të saj se ajo e konsideronte Musain si një njeri të besueshëm. I bindur për besueshmërinë e tij, plaku vendosi që të martojë vajzën e tij me Musain. Mirësjellja e dallueshme e Musait ishte faktori kryesor që ndikoi në vendimin e plakut, i cili ia bëri këtë propozim atij:
Ai i tha: "Vërtetë që unë dëshiroj që ti të marrësh për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia me kusht që ti t'më shërbesh mua për tetë vjet të plota, por nëse i mbush dhjetë vjet, do të jetë një mirësi prej teje. Por nuk kam për qëllim që të vë në vështirësi. Nëse do Allahu, ti do t'më gjesh mua prej të drejtëve." Ai (Musai) tha: "Kjo u vendos mes meje dhe teje. Cilindo prej afateve që unë i përmbush, nuk përbën padrejtësi për mua. Allahu është dëshmitar për çfarë po themi." (Kur'an, 28:27-28)
Musai pranoi propozimin e plakut, i cili siç kuptojmë nga Kur’ani duhet të ketë qenë prej besimtarëve të vërtetë dhe filloi jetën e tij në Medjen. Kështu Zoti së pari e siguroi Musain duke bërë që ujërat e Nilit ta bartin atë tek Pallati i Faraonit pa u fundosur. Mandej, gjersa kishte jetën në rrezik në Egjipt, Ai e shpëtoi atë për të dytën herë dhe e udhëhoqi në një jetë të qetë në Medjen.
Ata që bëjnë vepra të mira do të shpërblehen me mirësi më të mëdha dhe s'do të kenë pse të frikësohen në atë Ditë. (Kur'an, 27:89)

ARRITJA E TIJ NË LUGINËN TUVA dhe FRYMËZIMI I PARË

ARRITJA E TIJ NË LUGINËN TUVA dhe FRYMËZIMI I PARË

Musai respektoj marrëveshjen që bëri me plakun dhe qëndroi në Medjen për shumë vite. Në fund të kohës së përcaktuar, domethënë, kur marrëveshjes i erdh fundi, Musai dhe familja e tij u larguan nga Medjeni. Gjatë udhëtimit, Musai pa një zjarr në largësi, në njërën anë të Malit Sinai, kah i cili po kalonte me familjen e tij. Musai mendoi se do të mund të sjellte një degë të ndezur nga zjarri për tu ngrohur ose të merrte ndonjë lajm që andej:
Pasiqë Musai e kishte përmbushur afatin e përcaktuar dhe po udhëtonte me familjen e vet, vërejti një zjarr në njërën anë të Malit Tur. Ai i tha familjes së vet: "Qëndroni këtu, kam parë një zjarr. Mbase mund t'ju sjell që andej ndonjë lajm ose ndonjë degë të ndezur nga zjarri që të mund të ngroheni." (Kur'an, 28:29)
(Kujto) kur Musai i tha familjes së vet: "Vërtetë që pashë një zjarr. Unë do t'ju sjell që andej ndonjë lajm ose së paku një degë të ndezur që të mund të ngroheni." (Kur'an, 27:7)
Kujto) kur ai pa një zjarr dhe i tha familjes së tij: "Pritni këtu! Vërtetë që shoh një zjarr. Mbase mund t'ju sjell një degë që andej ose mbase gjej ndonjë udhëzim atje."  (Kur'an, 20:10)
Kjo ngjarje është treguese e edhe një tipari tjetër të karakterit shembullor të Musait. Musai është një person shumë i vëmendshëm, i cili me kujdes vlerëson çdo gjë që ndodh rreth tij. Ai e din që Zoti paracakton të gjitha ndodhitë në pajtim me një fat të caktuar dhe me urtësinë hyjnore. Për këtë arsye, Musai gjithmonë i mirëpret ngjarjet apo rrethanat e ndryshme duke shpresuar të nxjerrë ndonjë përfitim prej tyre. Vërejtja e zjarrit në mal dhe vlerësimi i situatës nga ai është mënyrë e të menduarit të veçantë të një besimtari vigjilent. Vendimi i tij që të shkoj vetëm duke lënë familjen prapa për t’u siguruar për sigurinë e tyre është gjithashtu një urtësi shembullore që iu dhurua nga Zoti.

BISEDA E ZOTIT ME MUSAIN (AS)

BISEDA E ZOTIT ME MUSAIN (AS)

Kur Musa shkoi te zjarri në mal ai u mirëprit nga një ngjarje e mrekullueshme. Atij iu drejtua Zoti nga një shkurre. Aty, Zoti rrëfen për këtë frymëzim të parë në Kur’an si vijon:
Por kur arriti aty një zë e thirri atë nga ana e djathtë e luginës së bekuar, nga një shkurre: "O Musa! Unë jam Zoti yt, Zoti i gjithë botërave." (Kur'an, 28:30)
Dhe kur arriti aty, një zë e thirri në emër: "O Musa! Unë jam Zoti yt. Zbathi këpucët (sandalet), se ti me të vërtetë që ndodhesh në luginën e shenjtë Tuva. Dhe Unë të kam zgjedhur ty, kështuqë dëgjo mirë se çfarë të frymëzohet ty. Sigurisht që Unë, vërtetë Unë jam Allahu. Nuk ka zot tjetër pos Meje, kështuqë Më adhuro dhe plotëso rregullisht faljen e namazit për Përkujtimin Tim." (Kur'an, 20:11-14)
Ky ishte frymëzimi i parë që Musai pranoi, që e nderonte atë si të dërguar të Zotit, rangu më i lartë që një qenie njerëzore mund të arrij në këtë botë.
Një pikë e rëndësishme meriton vëmendje këtu; Zoti i drejtohet Musait…Zoti e thërret Musain nga një dru. Zoti ishte mjaft afër Musait sa t’i drejtohej atij drejtpërdrejt. E vërteta megjithatë është, Zoti është gjithnjë aq afër sa për t’ju drejtuar kujtdo. Për shembull, gjatë leximit të këtyre rreshtave, Zoti është afër teje. Është aq afër sa të flas me ty, të dëgjoj zërin tënd dhe t’ju bëj të dëgjoni zërin e Tij. Ai mund t’na dëgjoj edhe nëse ne pëshpërisim. Zoti rrëfen këtë fakt në Kur’an me këtë varg
Zoti rrëfen këtë fakt në Kur'an me këtë varg "Zoti është më afër njeriut se sa vet vena e qafës së tij." (Kur'an, 50:16)
Pasiqë i tha Musait se zëri që dëgjon i takon Zotit të tij, Zoti e pyeti atë për shkopin e tij:
"Dhe ç'është ajo që ke në dorën tënde të djathtë, o Musa?" Ai u përgjigj: "Ky është shkopi im mbi të cilin unë mbështetem, me të cilin shkund gjethe nga pemët për delet e mia dhe më shërben edhe për punë të tjera." (Kur'an, 20:17-18)
S’ka dyshim se Zoti e dinte çfarë Musai mbante në dorë. Megjithatë për ta udhëzuar Musain dhe për t’ia njoftuar atij urtësinë e Tij, Zoti i tha që ta hudh shkopin:
"Hidhe shkopin tënd!" Por kur ai e pa atë të përdridhej si të ishte gjarpër u kthye dhe iku dhe nuk shiqoi prapa… (Kur'an, 27:10)
Kur Musai pa shkopin e tij të shndërrohej në gjarpër e pushtoi frika. Megjithatë, kjo ngarje ishte paraparë të jetë një mësim me anë të cilit Zoti mësoi Musain të mos frikësohej ndaj askujt përveç Tij dhe të mos i nënshtrohej askujt tjetër pos Tij:
…"Mos ke frikë Musa! Vërtetë që të Dërguarit nuk frikësohen para Meje."  (Kur'an, 27:10)
Ai tha: "Kape atë dhe mos ke frikë, Ne do ta kthejmë në gjendjen e mëparshme."  (Kur'an, 20:21)
Në pajtim me urdhërin, Musai muar shkopin e tij. Ky shkop më vonë do të bëhet një mrekulli që do të përdoret kundër Faraonit. Pas kësaj, Zoti i dha Musait mrekullinë e dytë:
Fute dorën tënde në gji, do të dal plotësisht e bardhë dhe e padëmtuar fare…(Kur'an, 28:32)
Siç na njoftojnë vargjet e mësipërme, dora e Musait u shfaq plotësisht e bardhë, si një mrekulli nga Zoti. Musai u shqetësua dhe u ndje i frikësuar nga këto gjëra. Megjithatë, Zoti e urdhëroi të merrte veten dhe të shkonte me këto mrekulli te Faraoni:
…Dhe vëri duart në ije që të çlirohesh nga frika. Këto janë dy dëshmi nga Zoti yt për Faraonin dhe krerët e tij. Vërtetë që ata janë një popull në rrugë të gabuar. )(Kur'an, 28:32